Rexhë S. Qorraj (27.02.1961-13.07.1998), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit.
Familja dhe shkollimi
Rexhë Qorraj u lind në fshatin Carrabreg, komuna e Deçanit. Sadik e Zyhra Qorraj kishin 7 fëmijë: gjashtë djem e një vajzë. Babai i dëshmorit, Sadik Qorrja mori rrugët e mërgimit për të siguruar ekzistencën e familjes. U punësua në Austri dhe bëri çmos që t’i shkollojë fëmijët, në veçanti Rexhën, që ishte fëmija i parë.
Dëshmori Rexhë Qorraj shkollën fillore e kreu në Carrabreg, ndërsa atë të mesme në Deçan. Ishte absolvent i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, kur për shkak të represionit serb iu desh të ndërprejë studimet, për të marrë edhe ky rrugën e mërgimit, ku për katër vjet qëndroi në Zvicër.
Veprimtaria
Që nga viti 1981, Rexhë Qorraj ishte pjesëmarrës aktiv në organizimet antijugosllave, pastaj në organizimet politike për formimin e një qeverie paralele shqiptare në Kosovë, kundrejt qeverisë së dhunshme të instaluar këtu nga qeveria serbe e Beogradit. Dhe si i tillë,në vitet e ’90-ta, Rexha shquhej si aktivist i shquar në fshat i proceseve të ndarjes politike nga pushtuesi i dhunshëm serb, si dhe njihet si ndër organizuesit e parë për organizimin e luftës çlirimtare gjatë atyre viteve.
Pas kthimit në vendlindje, Rexhë Qorraj më 20 prill të vitit1998 inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fillim si anëtar Shtabi në fshatin Carrabreg i Ulët. Gjatë kësaj periudhe ishte i angazhuar në logjistikë, detyrë të cilën e kreu me sukses.
Rënia heroike
Përveç angazhimit të tij në logjistikë, Rexhë Qorraj mori pjesë edhe në beteja edhe si luftëtar, në vijën e parë të frontit, ku më 13 korrik 1998, në një luftë të ashpër, në distancë prej 40 metrash, ra heroikisht në fushë të Carrabregut, së bashku me djalin e axhës, tetëmbëdhjetëvjeçarin Arton Qorraj. Rënia e tij në altarin e lirisë është dëshmi për urrejtjen e popullit tonë për pushtuesin gjakatar serb dhe çka bëri për ta luftuar atë njëherë e përgjithmonë nga trojet tona dhe nga Kosova në përgjithësi.
Trupat e Rexhë dhe Artan Qorrajt u varrosën në fushë të Carrabregut, e më pas u radhitën me nderime të larta ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit në shtator të vitit 1999.
Pas rënies heroike
Rexhë Qorraj ishte i martuar dhe i la katër fëmijë: tre djem dhe një vajzë, të cilët sot krënohen me heroizmin e tij për çlirimin e vendit.
Për nder të sakrificës së tij dhe rënies së tij heroike, figura e dëshmorit Rexhë Qorraj është nderuar me dekorata e mirënjohje nga Shoqatat e dala nga lufta e institucione e larta shtetërore.