Nagip Cacaj (1959-1998)

Nagip Cacaj (02.02.1959-29.05.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit.

Jeta dhe familja

Familja Cacaj në Deçan njihet si patriotike dhe atdhedashëse. Babai i dëshmorit të UÇK-së Nagip Cacaj, Muharremi, në vitin 1946 ilegalisht shkroi parulla për përdorimin e flamurit kuq e zi dhe i shpërndau në Deçan dhe në Pejë. Kështu, kjo frymë patriotike u përcollë edhe te fëmijët e kësaj familjeje. Muharrem dhe Ajmone Cacaj kishin gjashtë fëmijë: katër djem dhe dy vajza. Dëshmori Nagip Cacaj ishte më i madhi ndër ta.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Deçan.

Nagip Cacaj ishte i martuar dhe la katër fëmijë: tri vajza dhe një djalë.

Veprimtaria

Nagip Cacaj ishte i pajisur me ide patriotike. Ishte ndër 12 të parët, që më 16 prill të vitit 1998, shkoi për armatim në Shqipëri.

Edhe i vëllai më i vogël, Sami Cacaj, ka qenë i inkuadruar në radhët e UÇK-së. Mllefi i dëshmorit për regjimin serb kishte lindur qysh herët. Ai në vitin 1996 dhe 1997 dy herë ishte keqtrajtuar nga policia serbe. Në jetën civile ka punuar në Fabrikën e Mobiljeve Masive në Deçan.

Si ushtar i rregullt në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua më 15 prill 1998, në Njësitin e Deçanit.

Nagipi zgjidhet anëtar i Shtabit Lokal të UÇK-së në Deçan. Në fillim të muajit maj 1998, në Shtabin Lokal të UÇK-së në Deçan, eprori Nagip Cacaj sugjeroi që një grup prej pesë vetash të shkonte në Shqipëri për të sjellë armatim të rëndë dhe nga atje u sollën 37 barrë kuajsh me armatim që do të përdorej nga luftëtarët.

Periudha në të cilën veproi dhe luftoi dëshmori Nagip Cacaj nuk ishte shumë e gjatë. Por, edhe në këtë kohë të shkurtër, u dallua si trim, guximtar, me vullnet të çeliktë për ta luftuar armikun e urryer shekullor serb që ushtroi në trojet e Kosovës.

Rënia heroike

Më 29 maj 1998, në luftën që u zhvillua për katër ditë e katër net me radhë në Deçan, Nagip Cacaj ra dëshmor, në vijën e parë të frontit, duke mbrojtur pozicionet. Rënia e tij vetëm sa frymëzoi ushtarët dhe bashkëfshatarët edhe për luftëra më të ashpra kundër armikut serb. Trupi i tij nuk pati mundësi të tërhiqej, ku sot e kësaj dite llogaritet i zhdukur. 

Pas rënies heroike

Pas rënies, dëshmori Nagip Cacaj është përjetësuar me pllakë përkujtimore në vendin e rënies dhe është përjetësuar në lapidarin e ngritur në qendër të Deçanit.

Familja e dëshmorit Nagip Cacaj është nderuar me mirënjohje të shumta, si nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Zona Operative e Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, komuna e Deçanit etj.

Kërko

Kategoritë